Aktuelles aus Prishtinë (Pristina), Mitrovica, Prizren, Prizeren, Pejë, Pec - Historisches zu Kosova und UCK
16:49
22.04.2019

Në shtypin shqiptar dhe atë kosovar është hapur një debat mbi fatin e çifutëve në Kosovë në shekullin e kaluar. „Gazeta Shqiptare“ e datës 01.02.2004 shkruajti: „Në kohën e pushtimit nazist të Kosovës, rreth 500 çifutë u internuan dhe u eliminuan nga gjermanët.“ Dr. Apostol Kotani e përgënjeshtroi këtë në gazetën e njohur „Koha Ditore“ të datës 03.05.2004. Zoti Kotani është autori i librit „Çifutët në Shqipëri në shekullin e kaluar“. Kotani e fillon analizën e tij tek „Koha Ditore“ me zhvillimin e komunitetit çifut në Kosovë në fillim të shekullit të 20-të. Sipas përshkrimit të Kotanit, në Kosovë jetonin deri në vitet 1910-1912 më shumë se 3000 çifutë. Zoti Kotani bazohet në dokumenta të ruajtura nga organizata çifute vendase dhe të huaja.

Çifutët dhe lufta e Ballkanit

Në vitin 1912 filloi lufta e Ballkanit, në të cilën luftonin serbë, shqiptarë, maqedonas, malazezë dhe grekë kundër perandorisë turke. Në luftën e dytë të Ballkanit, në vitin 1913, u ndanë trojet në mes të shteteve që kishin marrë pjesë në luftë. Serbia mori Maqedoninë dhe Kosovën. Në bazë të vlerësimeve të besueshme, ushtria serbe vrau rreth 25000 shqipëtarë. Korrespondenti socialist për Ballkanin, Leo Trotzki, e përshkruante shumë qartë këtë gjakderdhje në një gazetë të Kiew-it. Në të njëjtën kohë, çifuti austriak Leo Freundlich, apeloi në ndërgjegjen ndërkombëtare. Udhëheqësi socialist serb, Dimitrije Tuçoviç ( 1881-1914), e quajti këtë „luftë koloniale klasike“ dhe „vrasje me paramendim të një kombi“. Ky ishte përshkrimi që ai i bëri në librin e tij „Serbët dhe Shqiptarët“, botuar në Janar të vitit 1914 në Beograd. Por në asnjë libër nuk përmëndet fati i çifutëve në Kosovë. Këtë mangësi e plotësoi për herë të parë zoti Dr. Kotani me librin e tij. Në artikullin e botuar tek „Koha Ditore“ Kotani shkruan: „Shovinizmi serb në atë kohë ishte i drejtuar edhe kundër çifutëve, pjesën më të madhe të tyre, pas luftës së Ballkanit, e shpërngulën me dhunë në Turqi (zyrtarisht i quanin agjentë turq), çifutët u trajtuan po aq keq sa shqiptarët“. Pas luftës së Ballkanit mbetën në Kosovë 300 çifutë. „Komunitete çifute“ pati në Prishtinë, Pejë dhe Prizren. Pas mbarimit të luftës së parë botërore (nga viti 1915 deri në vitin 1918 Kosova ishte e pushtuar nga Austro-Hungaria, popullsia çifute pati një rritje të lehtë), çifutët në Kosovë u atakuan përsëri. Nacionalizmi serb i akuzoi çifutët për „antisllavizëm“ dhe „kolaboracion“ me „armiqtë e kombit serb“. Çifutët në përgjithësi ishin të varfër dhe punonin si tregëtarë të vegjël. Klientët e tyre të rregullt ishin fshatarët shqiptarë. Ministria e brendëshme serbe nxori në 13 qershor 1936 një ligj, sipas të cilit i ndalohej të gjithë banorëve të Kosovës, që nuk ishin serbë, të ndërronin vëndbanimin dhe të bënin tregëti të lirë. Ishte planifikuar që e gjithë Kosova të bëhej serbe. Nën këtë politikë vuajtën edhe çifutët në Kosovë. Në vitin 1937 u botua me porosi të akademisë së shkencave të Serbisë një punim i anëtarit të kësaj akademie Vaso Çubriloviç me titullin: „Dëbimi i Shqiptarëve“. Nën tatimet e jashtëzakonshme, ndalimin e ushtrimit të lirë të profesionit dhe shpronësimin e qëllimshëm vuajti edhe komuniteti i vogël Çifut në Kosovë. Mbi këtë çështje Dr. Kotani shkruan një citat të David Levy-t: „çifutët në Kosovë kanë arritur në situatën më të vështirë të jetës së tyre (raport në sionisten Exekutive 1937).“


Kosova në luftën e dytë botërore

Në vitin 1941 Jugosllavia u sulmua dhe u pushtua nga Gjermania fashiste. Pjesë të Dalmacisë, Maqedonisë dhe pjesa më e madhe e Kosovës ranë në duart e Italisë fashiste. Shumë çifutë nga Kroacia dhe Sërbia u arratisën nga frika e eliminimit prej antisemitëve nazistë në drejtim të vëndeve të pushtuara nga Italia. Këto vënde ishin relativisht të sigurta dhe çifutët e vlerësonin popullin shqiptar si miq të tyre.

Në vitin 1942 Gjermania naziste urdhëroi kapjen e çifutëve në Kosovë dhe dorëzimin e tyre tek autoritetet gjermane. Në vënd që të zbatonin urdhërin e autoriteteve gjermane, autoritetet shqiptare i këshilluan çifutët të shkonin në Shqipëri. Që nga Prilli 1942, shkruan Dr. Kotani "ikën rreth 500 çifutë në Shqipëri. Kontigjenti i parë shkoi në Berat, Kontigjenti i dytë me 195 persona shkoi në Kavajë, dhe Kontigjenti i tretë me 175 persona shkoi në Krujë.“ Në fillim njerëzit u sistemuan nëpër kampe. Mbasi shqiptarë kolaboracionistë të nazistëve si „mjeku fanatik Spiro Liton donte të kontrollonte kampet, me qëllim që ti dorëzonte çifutët tek nazistët, mjeku u eliminua.“ Pas kapitullimit të Italisë, Kosova dhe Shqipëria u pushtuan nga Gjermania naziste dhe popullsia çifute u strehua nga fshatarët shqiptarë dhe partizanët. Historianit Kotani i vihet re krenaria, kur ai shkruan tek „Koha Ditore“: „Asnjë çifut nuk ra në duart e nazistëve në Shqipëri, ata u fshehën dhe u mbrojten.“ Dhe ky është fakt, Shqipëria ishte i vetmi vënd në Europë, në të cilin mbas pushtimit nazist pati më shumë çifutë se më parë. Ndër këta pati shumë çifutë nga Kosova, të cilët pas mbarimit të luftës ose u kthyen në Kosovë ose emigruan në Israel/Palestina.


Facit

Në kohën e barbarisë naziste, autoritetet nga Beogradi njoftonin RSHA në Berlin: „Sërbia është e pastër nga çifutët“. Krimet e Ustashës fashiste kroate janë të njohur. Në Maqedoni nga 7762 çifutë, 6982 u vranë. Në të gjitha zonat pati kolaboracionistë dhe rezistencë antifashiste. Përkrahjen më të vogël Antisemit-i shfarosës gjeti atëhere në Kosovë dhe Shqipëri. Ky fakt historik është i rëndësishëm dhe ka domethënie aktuale. Në debatin e brëndshëm Gjerman të së „majtës“, ka shpesh kombe të mirë dhe kombe negative. Kjo është absolutisht e gabuar, grekët e vjetër e dinin që, „Ç’do gjë rrjedh, ç’do gjë lëviz dhe ti nuk mund të notosh kurrë në të njëjtin lumë përsëri“. Duhet fiksuar fakti që në zonat shqiptare ku shumica e popullsisë është myslimane, gjatë kohës së barbarive hitleriane, çifutët gjetën mbrojtje dhe siguri. Duke ju referuar këtij fakti, mbërrijmë në rezultatin që bota myslimane nuk është „armike e çifutëve“ dhe antisemite. Çdo gjë ka dinamikën e saj në procesin historik, gjëra krijohen, zhvillohen dhe pushojnë së egzistuari. Qëndrime të shumicës ose ngjarje historike zhvillohen në kuadrin e raporteve të fuqive egzistuese në luftën e të kundërtave. Në bazë të këtyre nuk egzistojnë kombe të mira apo të këqija, çdo gjë ka dy anë dhe kështu lind detyra që me njerëzim dhe tolerancë t’i kundërvihemi intolerancës. Në rast se në shtypin shqiptar ka një referim pozitiv tek tradita antifashiste, atëhere kjo është një gjë e mirë dhe jo e keqe. Akoma më i mirë është ky fakt në qofte se Dr. Apostol Kotani kërkon konsekuenca aktuale nga tradicioni antifashist për Kosovën sot.


Përktheu nga gjermanishtja
Robert Duçellari