Aktuelles aus Prishtinë (Pristina), Mitrovica, Prizren, Prizeren, Pejë, Pec - Historisches zu Kosova und UCK
18:43
22.05.2019

Die Rechten in Kosova arbeiten mit den rechten serbischen Chauvinisten zusammen. Erklärung von Visar Yimeri und Albin Kurti zur neuen Regierung in Prishtina. Fjala e deputetit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymerit, në konferencën për shtyp mbajtur më 10 dhjetor 2014 Dje u votua Kabineti Qeveritar pa folur asnjëri prej ministrave, pa folur Isa

 

Mustafa për asnjërin prej tyre, përveçse ua tha emrat, dhe pa folur deputetët se çfarë mendojnë për ta. Në fakt i vetmi ministër për të cilin Mustafa foli më gjatë se sa emri dhe mbiemri i tij, ishte Aleksandër Jabllanoviçi, për të cilin tha se më nuk është deputet në Kuvendin e Republikës së Serbisë.

Në vazhdimin e djeshëm të seancës së nisur më 8 dhjetor, nuk na u dha fjala. Edhe pse dje ishim në rrethana tjera prej atyre të 8 dhjetorit. Ndërmjet ndërprerjes së seancës së të hënës dhe vazhdimit të saj të martën, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa i kishin pranuar kushtet e Beogradit dhe e kishin bekimin e qeverisë së Serbisë për ta krijuar qeverinë e tyre. Isa Mustafa asnjëherë nuk foli për kushtet e pranuara. Siç është raportuar ato janë:
1. Të formohet asociacioni i komunave me shumicë serbe prej 3 deri në 5 muaj nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje – Ky asociacion, është e tepërt mbase të thuhet, që do ta bosnjëzojë Kosovën, për shkak se territorialisht dhe institucionalisht do ta ndajë atë në vija etnike, ndërkohë që njëri prej ministrave, i cili është votuar dje të jetë zv kryeministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka qenë njëkohësisht edhe personi kryesor që e ka shkruar statutin e këtij asociacioni dhe për të cilin ai ka deklaruar publikisht se është bazuar në vendet apo në rajonet që e kanë autonominë më të gjerë për sa i përket veprimeve të tyre në fushën ekonomike, politike, sociale etj.
2. Tretman të veçantë gjatë procesit të privatizimit në valët e ardhshme në komunat me shumicë serbe – Janë marrë vesh që komunat me shumicë serbe të kenë tretman të veçantë sa i përket procesit të privatizimit. Kjo pra po e dëshmon se çka ka me qenë asociacioni. Njëherë i është ndarë një buxhet i veçantë atij, ndërsa tash do të ketë edhe aplikim të ndryshëm të rregullave dhe ligjeve që aplikohen në tërë atë pjesë të Kosovës dhe në këtë veçanti të asociacionit, natyrisht që kontrollin kryesor do ta ketë pushteti ekzekutiv I këtij asociacioni, derisa institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të kenë kurrfarë pushteti.
3. Kthimin e të zhvendosurve serbë dhe jo shqiptarë me garancion të sigurisë nga ana e Qeverisë dhe e Kryeministrit – Dhe, kjo asnjëherë nuk është bërë publike se për çfarë kthimi po flasin. Pra, ku do të kthehen dhe sa serbë do të kthehen në Kosovë. Ju e dini që numri I serbëve, të cilin pretendon Serbia ta kenë lëshuar Kosovën menjëherë pas luftës së vitit 1999, është shumë më I madh se sa realisht numri I tyre. Në këtë mënyrë po I mundësohet Serbisë që ta ushtrojë edhe një proces të rikolonizimit ndaj Kosovës. Dhe, askund nuk përmendet kthimi I shqiptarëve në pronat e tyre në veri të cilët që prej vitit 1999, veçanërisht prej vitit 2000, asnjëherë nuk kanë mundur t’i shfrytëzojnë pronat e tyre.
4. Kthimi dhe mbrojtja e pronës së uzurpuar – Dhe këtu veçanërisht është vënë në spikamë prona e Kishës Ortodokse, e cila njëherë është uzurpuar si kishë nga Serbia, janë uzurpuar objektet e kultit ortodoks, dhe tash këtyre objekteve po synojnë t’ia kthejnë edhe pronën, duke e kthyer kështu Kosovën në një fazë të paramodernitetit.
5. Po ashtu, marrëveshja me serbët parasheh që Prishtina zyrtare menjëherë të nisë procedurat për krijimin e kushteve për zyrtarizimin e linjës direkte ajrore Prishtinë-Beograd, si dhe nisjen e një hekurudhe që lidh Kosovën me Serbinë – Kështu iu mundësohet avio-kompanive serbe që ta shfrytëzojnë aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, dhe këtë pa e sqaruar asnjëherë nëse ata do ta njohin këtë si aeroport ndërkombëtar të Prishtinës apo do ta njohin si një prej aeroporteve të Serbisë, siç është pretendimi i shtetit të Serbisë.
6. Serbët kishin kërkuar po ashtu që të futen në marrëveshje edhe çështja e emërimit të përfaqësuesit të Listës si nëndrejtor i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe një tjetri si zëvendëskomandant të FSK-së. Këto kushte Mustafa ka thënë se janë çështje që duhet të rregullohen së shpejti me ligj dhe ua ka premtuar kur të ndryshojnë ligjet përkatëse – Iu është premtuar që do të bëhen ndryshimet ligjore të cilat do ta mundësojnë që nëndrejtori i AKI-së të jetë përfaqësues i Listës Srpska dhe në anën tjetër edhe zëvendëskomandanti i FSK-së të jetë po ashtu nga Lista Srpska dhe kështu në dy institucionet më të rëndësishme në Kosovë Serbia do t’i fusë edhe personat e vetë, pra që të jenë në nivelin e lartë komandues

Në seancën e së hënës, në fjalimet tona, ne i kishim parashtruar një sërë pyetjesh për kryeministrin, atëbotë të nominuar. Asnjëherë nuk u përgjigj në këto pyetje. Unë i kam përzgjedhur t’i përsëris vetëm 5 prej tyre:

– Isa Mustafa asnjëherë nuk deklaroi nëse, për ta mbështetur financiarisht ekspozenë e tij superambicioze, do t’i fus duart edhe në Fondin e kursimeve pensionale?
– A do ta ndryshojë buxhetin tashmë të përpiluar nga Hashim Thaçi apo do ta përdorë të njëjtin, dhe si do të lidhet ky buxhet me premtimet e tij?
– A ka bërë përllogaritje se sa do të jetë kostoja buxhetore e shkurtimeve tatimore dhe cilat tatime saktësisht ka menduar t’i ulë, pse ka menduar t’i ulë ato dhe për sa përqind?
– A do t’i gllabërojnë si qeveri edhe pozitat në agjencitë e pavarura të themeluara nga Kuvendi siç e kanë thënë në pikën 8 të marrëveshjes PDK-LDK?
– A do të vazhdojë me kufizimin e lirisë së mendimit dhe të veprimit për deputetët e LDK-së, siç janë marrë vesh me PDK-në për t’ia nënshtruar deputetët plotësisht qeverisë?

Fjala e kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurtit, në konferencën për shtyp mbajtur më 10 dhjetor 2014

Qeverisë së formuar dje, pra me 9 dhjetor, i parapriu marrëveshja e krerëve të PDK-së e LDK-së me kreun e Listës serbe. Prandaj, kjo qeveri është qeveri e përbashkët e Prishtinës me Beogradin. Kushteve të VETËVENDOSJE!-s për të mirën e Kosovës dhe për një kurs të ri të shtetit Isa Mustafa, ju rezistoi plot tre muaj deri me datën 10 shtator 2014. Kushtet e Listës Serbe, përkatësisht të Beogradit, Mustafa e Thaçi i pranuan brenda natës.

Përmbajtja e marrëveshjes me Listën Serbe tregon qartë synimin për federalizimin e Kosovës, duke e ndarë sistemin e saj politik, duke krijuar paritet në çdo udhëheqje institucionale, dhe duke e formuar me shpejtësi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Bosnja dhe Hercegovina është një shtet që nuk është Republikë, por brenda e ka Republikën serbe që nuk është shtet. Republika e Kosovës po bëhet një jo-shtet i cili do ta ketë brenda shtetin e Serbisë ende të pa shpallur republikë. Gati shtatë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës po kthehemi ne gjendjen që e parashihte formula e Serbisë për Kosovën, “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”.

Po ashtu, thanë që në koalicion u bënë bashkë dy parti të djathta në mënyrë krejt të natyrshme. Mirëpo të djathtit në Kosovë u bashkuan për t’iu nënshtruar të djathtëve shovinistë e anti-shqiptarë në Serbi. Të djathtit që thanë se u bashkuan natyrshëm, njësoj, pra natyrshëm, po ju nënshtrohen të djathtëve më të fuqishëm në Serbi, tamam sikurse në natyrë ku fuqia është ligji. Nga këta të djathtë që u bashkuan në Kosovë mund të presim vetëm ndarje të mëtutjeshme të Kosovës e varfërim të mëtutjeshëm të popullit të saj. Atyre qysh në fillim më shumë po ua sheh hairin Beogradi se sa Kosova.

Në ekspozeun e tij, Mustafa nuk e përmendi as premtimin e PDK-së për 200 000 vende të punës, e as për premtimin e LDK-së për 120 000 vende të punës. Kjo qeveri që rehaton militantët partiakë paraqet jo vetëm problem politik për Kosovën, por edhe problem socio-ekonomik për shoqërinë. Teksa premtimet e tyre për zhvillim ekonomik e vende pune janë fjalë pa realitet, nga realiteti kosovar po ikin mijëra të rinj, dhe pamjet e autobusëve që nisen drejt Serbisë për në Hungari, s’duan shumë fjalë.

Tash kur shënohet dita ndërkombëtare kundër korrupsionit, ne iu bëjmë thirrje politikanëve e diplomatëve ndërkombëtarë që të mos flasin më kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë përderisa mirëpresin këtë qeveri, përderisa mirëpresin këtë koalicion të korruptuarve në qeverisje si dhe instalimin e kreut të nëntokës në krye të Kuvendit.

Rede von Albin Kurti im Parlament http://www.vetevendosje.org/video_post/albin-kurti-ata-qe-kane-bere-koalicion-me-pdk-ne-kane-zhbere-vetveten-ne-kapje-te-shtetit/

Albin Kurti & Visar Ymeri:Të djathtët në Kosovë u bashkuan për t’iu nënshtruar të djathtëve shovinistë në Serbi 
Lexoni të plotë fjalën e tyre në:
http://www.vetevendosje.org/news_post/te-djathtet-ne-kosove-u-bashkuan-per-tiu-nenshtruar-te-djathteve-shoviniste-ne-serbi/