Aktuelles aus Prishtinë (Pristina), Mitrovica, Prizren, Prizeren, Pejë, Pec - Historisches zu Kosova und UCK
00:04
23.03.2019

Pasqyrë Tesxt in Albanisch von Max Brym zur Geschichte Kosovas 

Kosova është një zonë e vogël me shumë popullsi dhe me akoma më shumë histori. Kjo do të shpjegohet në rreshtat vijues me qëllim që të mund të vihen në rregull më mirë ngjarjet historike që në këtë zonë vazhdojnë të stivohen akoma edhe sot, për të justifikuar, për shembull, vendimet politike. Shqiptarët rrjedhin nga ilirët. Kjo vërejtje ka rëndësi, sepse që

nga viti 1989, që ndërlidhet me heqjen e dhunshme të autonomisë së Kosovës, nacionalizmi serb konteston origjinën e vërtetë të shqiptarëve.

Kosova shpesh karakterizohet si Jeruzalemi serb, duke qenë se edhe konflikti midis serbëve dhe shqiptarëve i ka rrënjët në historinë e largët, dhe pos kësaj, ai ngjan i pazgjidhshëm. Në të gjithë librat shkollorë të historisë dhe nëpër mediet serbe shqiptarët akuzohen akoma edhe sot sikur janë shfaqur në Kosovë vetëm pas Betejës në Fushën e Kosovës të vitit 1389, dhe sikur nuk i kanë dëbuar turqit së bashku me ta. Kësisoj, ata kinse nuk kanë të drejtën mbi “tokën e lashtë serbe” në të cilën janë ngulitur pas betejës. Pretendohet se ata e kishin rrëmbyer atë. Pos kësaj, shkrimtarë dhe historianë të caktuar serbë shqiptarët i përshkruajnë si një popullsi të egër malore. Të gjitha këto luajnë një rol politik ditor në rajon, për këtë shkak është me rëndësi për të nënvizuar disa fakte.

Që prej disa kohësh historiografia njeh konfliktin midis polisit grek dhe mbretërisë ilire. Në vitin 450 para kohës së llogaritur prej nesh, dmth. para erës sonë (në tekstin e mëtejshëm para e.s.), hulumtimet arkeologjike mbështesin faktin se qytetet ilire dhe kultura ilire lindën në territorin e Shqipërisë së sotme dhe të Kosovës. Gjurmë të jetës ilire dëshmohen në të gjithë Ballkanin. Studiues të gjuhës tërheqin madje vërejtjen edhe për origjinën ilire të shumë emërtimeve të fshatrave të sotme në luginat malore të Tirolit, duke qenë se territoret e tyre arrinin gjer atje. Epiqendrën e ilirëve e përbënte Shqipëria e sotme, Kosova dhe pjesë të Maqedonisë nën sundimin e mbretit Bardhyl, 393-358 para e.s. Në vitin 335 para e.s. u zhvillua një betejë midis Aleksandrit të madh dhe mbretërve ilirë Kleitit dhe Glaukias. Edhe sot e kësaj dite ndeshen shpesh meshkuj shqiptarë që mbajnë emrin e mbretit Agron, apo femra që mbajnë atë të mbretëreshës Teuta. I pari mbretëroi nga viti 250 deri më 230, ndërsa kjo e fundit nga viti 231 deri më 229. para e.s. Pati tre luftëra iliro-romake, nga 229 deri më 228, pastaj nga 219 deri më 218 dhe më së fundi, nga 181 deri më 168 para e.s. Luftërat përfundonin ose me fitore të pjesshme romake, ose me disfata të tyre. Vetëm rreth viteve 30 para e.s, pas pushtimit të Dalmacisë prej Oktavian Augustit, u ngrit provinca romake Ilirikum. Nga kjo provincë romake më vonë do të dalin 6 perandorë romakë, ndërsa pothuajse për dy shekuj me radhë legjionet ilire shërbyen në Limes buzë Danubit.

Pas ndarjes së perandorisë romake me 395, Ballkani i takoi Romës lindore, mirëpo mbeti nën juridiksionin kanonik të Romës perëndimore. Midis shekujve pesë dhe gjashtë, në Ballkan u dyndën popujt sllavë. Ilirët u asimiluan si sllavë në ato zona ku nuk zotëronin më bazën e pushtetit shtetëror: në Bosnjën e sotme, Kroaci, Slloveni, ndërkaq dardanët, në mes tjerash, si pjesë e ilirëve, me Kosovën si hartland, kishin qysh në kohërat helene një pushtet të fuqishëm shtetëror. Kjo e dhënë bëri që Kosova vetëm në shekullin e 12 të bëhej pjesë përbërëse e qëndrueshme e mbretërisë mesjetare serbe nën Stefan Dushanin.

Nga kjo kohë Kosova për afro 100 vjet llogaritej si seli e sundimtarëve serbë dhe e kishës ortodokse serbe. Në Kosovë, me 1331u kurorëzua si mbret Stefan Dushani. Në këtë kohë arkitektë serbë ngritën tempuj dhe vepra arti. Me 1346 kisha e patrikanës së Pejës u bë seli e ortodoksizmit serb. Të gjitha ndërtimet memoriale dëshmojnë një kulturë të zhvilluar serbe në Kosovë midis shekujve 12 dhe 14. Shumë kisha në Kosovë, ndonëse shpesh qenë konvertuar në kisha ortodokse, deri në shekujt 11 dhe 12 ishin kisha katolike, përkatësisht, shqiptare. Të gjitha këto argumente hedhin poshtë tezën historike sikur shqiptarët u dyndën në Kosovë vetëm pas betejës në Fushën e Kosovës me 1389. Përkundrazi, heroi nacional serb, princ Llazari, luftonte kundër ushtrive osmane në aleancë me princër shqiptarë, midis tyre dhe me gjyshin e Skënderbeut, një hero nacional shqiptar.

Betejat mesjetare s’kishin të bënin me zhvillime nacionale, ashtu siç përpiqet të transmetojë historiografia serbe që nga fillimi i shekullit 19. Përkundrazi, edhe në radhët e prijësit turk, Muratit, luftonin si serbë, ashtu dhe shqiptarë. Flamuri nacional nisi të tundej vetëm në kohën e zgjimit nacional borgjez. Kujtesa nacionale në Ballkan u deformua përmes mistifikimit, shtrembërimeve historike dhe krishterimit ortodoks. Sidomos paradoksal është fakti që në bazë të ndodhive mesjetare të ngrihen sot pretendime territoriale. Se kush kujt territor i takon duhet sqaruar, në fakt, edhe në aspektin historik, por para së gjithash duke marrë në konsideratë gjendjen e tanishme të njerëzve në atë territor dhe vetëm përmes një vendimmarrjeje demokratike. Gjatë këtij sqarimi, krahas fakteve të sotme të dukshme empirike, luajnë një rol të rëndësishëm edhe përvoja, referencat dhe të dhënat nga historia. Këtij qëllimi do t’i shërbejë kjo pasqyrë e shkurtër e historisë më të re.



Historia e Kosovës nga viti 1878

1878: U themelua Lidhja e Prizrenit. Historiografia nacionale shqiptare përjetoi rilindjen e saj. Në konferencën e Berlinit të vitit 1878 u negociua ndarja e Ballkanit pas Luftës ruso-turke. Lidhur me kërkesat nacionale të Lidhjes së Prizrenit, Bizmarku deklaroi: “Unë nuk di gjë për shqiptarët”. Kosova mbeti nën sundimin turk deri më 1912.

1910: Kryengritja shqiptare në Kosovë u shtyp brutalisht nga ushtria turke.

1912: Ministri i jashtëm serb udhëzoi ambasadorin e tij në Prishtinë që të mos përmendte gjëkundi faktin se në Kosovë jetonin vetëm 5 për qind serbë, ngaqë kjo gjë do të vinte në dyshim pretendimet e tyre për Kosovën. Po këtë vit shpërtheu Lufta e parë ballkanike. Kjo u bë nga Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Bullgaria kundër Turqisë. Rezultati: Turqia u mund dhe u tërhoq nga Ballkani. Shqiptarët në prill të vitit 1912 nisën kryengritjen kundër sundimit të huaj turk. Ata u liruan me forcat e tyre, në mes tjerash, morën dhe Shkupin. Pak kohë më vonë atyre iu hodh në shpinë ushtria serbe.

1913: Në Luftën e Dytë Ballkanike plaçka u nda midis ish-partnerëve të luftës. Serbia mori Maqedoninë dhe Kosovën. Konferenca e ambasadorëve në Londër aprovoi aneksimin e Kosovës nga Serbia. Sipas vlerësimeve të besueshme, soldateska serbe ekzekutoi rreth 25 mijë shqiptarë. Në shtator të vitit 1913, shqiptarët u ngritën sërish dhe formuan në Dibër një qeveri të përkohshme. Sërish u ndez me tërbim terrori kolonial serb dhe shtypi kryengritjen. Konferenca e ambasadorëve në Londër njohu, në fakt, Shqipërinë në kufijtë e saj të sotëm. Kjo kishte për bazë arsyet imperialiste të cilat më vonë do të çoheshin më tej. Qeveria shqiptare u desh të arratisej dhe në një afat të shkurtër sundimi iu dhurua një fisniku gjerman. Gjysma e shqiptarëve iu dha haraç nacionalizmit serbomadh në Kosovë dhe Maqedoni. Në mënyrë ilustrative masakrat i përshkruajti Lav Trocki, korrespondent socialist nga Ballkani për një gazetë të Kievit. Udhëheqësi i atëhershëm i socialistëve serbë, Dimitrije Tucoviq (1881-1914) fliste për një luftë koloniale klasike dhe për një krim të ndërgjegjshëm kundrejt një populli të tërë. Kështu shkruhet në librin e tij “Serbia dhe Shqipëria” të botuar me 1914 në Beograd.

1914 –1918: Në Luftën e Parë Botërore Kosova dhe Shqipëria u bënë arenë luftimesh, duke qenë se u pushtuan në mënyrë të alternuar prej shteteve të ndryshme. Armata serbe nuk u përmbajt që gjatë tërheqjes së saj nëpër Kosovë e Shqipëri me 1914 e 1915 të bënte një kërdi të llahtarshme.

Me 1 dhjetor 1918 u themelua Mbretëria serbe, kroate dhe sllovene. Qysh në definimin e saj shqiptarët përjashtoheshin, ndonëse Kosova sërish ishte aneksuar. Kjo padrejtësi e përsëritur u vulos në marrëveshjen e Versajës nga fituesit imperialistë të luftës botërore.

Nga fundi i viti 1918 deri në mbarim të viti 1919 ndodhën luftime të ashpra në Kosovë. Njëkohësisht, shteti i sapothemeluar nën hegjemonizmin serb përpiqej të kolonizonte Kosovën. Deri më 1924 kishte vazhdimisht veprime të armatosura mbrojtëse nga shqiptarët. Udhëheqësi më i shquar i trupave guerile quhej Azem Bejta.

Në dhjetor 1921, pas disa luftimeve nëpër rrugët e Tiranës, kryeministri me prejardhje kosovare, Hasan Prishtina, i cili mbajti pozitën e tij vetëm për një kohë të shkurtër, u shkarkua nga pozita prej Ahmet Zogut për shkak të përkrahjes së tij për kryengritësit drenicakë të Kosovës. Kësisoj Ahmet Zogu u bë kundërshtari vendimtar i veprimtarëve kosovarë në Shqipëri.

Në dhjetor 1924, Ahmet Zogu, me përkrahjen e armatës serbe dhe të bjellogardistëve rusë, rrëzoi kryeministrin borgjezo-demokrat Fan Noli, i cili kishte marrëdhënie me pushtetin sovjetik të BRSS. Pos kësaj, Fan Noli kërkonte vazhdimisht të drejtën e vetëvendosjes për Kosovën. Në këtë kohë ai gëzonte përkrahje diplomatike vetëm nga Bashkimi Sovjetik. Vendin e tij e zuri me 21 janar 1925 despoti feudal shqiptar Ahmet Zogu si agjent i Serbisë, i cili me 1 shtator 1928 u vetëshpallë mbret i shqiptarëve.

1930: U mbyll shkolla e fundit në gjuhën shqipe në Kosovë. Gjendja në Kosovë në Jugosllavinë e re mund të përshkruhet si vijon: 250.000 shqiptarë u dëbuan nga trojet e tyre. Nacionalizmi serb e arriti këtë gjë përmes një terrori të pakufishëm, mirëpo edhe përmes raprezaljeve ekonomike, si taksa të veçanta, ndalimit të organizimeve profesionale dhe shpronësimeve të qëllimshme.

Nga viti 1919 deri më 1941 në Kosovë u ngulitën 60 mijë kolonë serbë, kryesisht në zonat etnikisht të pastruara. Ky vend iu rrëmbye shqiptarëve.

1941-1945: Në prill 1941 Gjermania fashiste pushtoi Jugosllavinë. Me thyerjen e Jugosllavisë një pjesë e madhe e Kosovës dhe pjesët shqiptare të Maqedonisë iu bashkuan Shqipërisë së pushtuar nga Italia që prej viti 1939. Italia fashiste lancoi parullën e Shqipërisë së madhe dhe shtirej si pushtues çlirimtar.

Sipas motos “përçaj e sundo” Italia fashiste u përpoq, për shembull, përmes hapjes së shkollave shqipe, t’i bënte për vete shqiptarët. Përkundrazi, veriu i Kosovës, me minierën e pasur me xehe të Trepçës, u aneksua direkt nga gjermanët. Kjo u realizua në pajtueshmëri me regjimin e instaluar profashist në Beograd. Shfrytëzimin e saj e mori përsipër direkt kapitali gjerman. Ç’është e vërteta, deri në vitin 1943 kishte vetëm një rezistencë të ulët të shqiptarëve kundër pushtues-çlirimtarëve italianë. Kjo gjë gjithsesi ndryshoi me marshimin e Gjermanisë fashiste në gjithë territorin shqiptar.

1943: pas Konferencës historike të Bujanit në kapërcyellin e viteve 1943/44, Konferenca e Këshillit nacionalçlirimtar të Kosovës deklaroi, në mes tjerash, se: “Me pjesëmarrjen e tij në luftën antifashiste nacionalçlirimtare, populli shqiptar do të fitojë të drejtën që pas fitores të bashkohet me vendin amë, Shqipërinë.” Në luftën antifashiste nacionalçlirimtare morën pjesë gjithsej 50 mijë shqiptarë nga Kosova, gjë që, në përpjesëtim me popullsinë e përgjithshme shqiptare, përbënte një numër shumë të madh.

Në fillim të vitit 1945 udhëheqësi komunist Miladin Popoviqi kërkoi në një konferencë qendrore të komunistëve jugosllavë të drejtën e vetëvendosjes së shqiptarëve. Për këtë shkak, komunisti malazez Miladin Popoviqi u likuidua nga policia e fshehtë jugosllave në mars të vitit 1945.

Vendin e tij e zuri njeriu i besuar i Rankoviqit, Dushan Mugosha. Sipas gazetës “Borba” të 8 prillit 1945, ky i fundit deklaroi në një tubim të Këshillit nacionalçlirimtar serb se “Populli i Kosovës dëshiron bashkimin me Serbinë.” Në realitet, Këshilli popullor nacionalçlirimtar i Kosovës as që ishte pyetur ndonjëherë. Në kohën kur partizanët shqiptarë në pranverë të vitit 1945 luftonin për çlirimin e Zagrebit e Lubjanës, në Kosovë u vendos regjimi ushtarak. Divizionet serbo-malazeze 52 dhe 46, si dhe divizioni i 50 maqedonas, u tërhoqën nëpër Kosovë dhe ekzekutuan me pretekste nga më të ndryshme mijëra shqiptarë. Masakra veçanërisht të mëdha u bënë në zonën e Drenicës. Kosova u bë provincë serbe.

1946: një delegacion shqiptar i udhëhequr nga Enver Hoxha realizoi një vizitë shtetërore në Beograd. Gjatë pritjes, Josip Broz Tito, president shumëvjeçar i Jugosllavisë, deklaroi se: “Kosovën dhe viset tjera të banuara me shqiptarë ne duhet t’jua rikthejmë juve, mirëpo tani për tani akoma jo, sepse reaksioni serbomadh nuk do ta akceptonte dot një gjë të tillë.”

1948-1968: pas përplasjes me Byronë komuniste informative me 1948, jo vetëm mijëra kritikë të Titos iu nënshtruan torturave në Goli Otok, por në Kosovë, pos tjerash, bënte kërdi terrori i vjetër serbomadh kundër shqiptarëve. Kjo periudhë nga shqiptarët shihet e lidhur ngushtë me personin e Rankoviqit. Ai ishte ministër i brendshëm jugosllav dhe shef i policisë së fshehtë deri në rënien e tij me 1966. Rankoviqi udhëhiqte të ashtuquajturin “aksion të armëve” në Kosovë, me ç’rast dyshimi hidhej sidomos tek ata shqiptarë te të cilët nuk gjendej ndonjë armë, këta arrestoheshin më shpesh (Gazeta partiake e partisë komuniste jugosllave “Borba”). Brutaliteti i drejtorisë së sigurimit të shtetit (UDBA) gëzonte namin e zi. Me 1953 Rankoviqi lidhi me Turqinë të ashtuquajturën “Marrëveshje riatdhesimi”. Sipas kësaj marrëveshjeje do të duhej që turqit nga Kosova dhe Maqedonia të transferoheshin në Turqi. E gjitha bazohej në një regjistrim jugosllav popullsie të vitit 1939. Atëbotë shumë shqiptarë qenë të detyruar të regjistroheshin nëpër lista si turq. Kësisoj, afro 200.000 shqiptarë u dëbuan për në Turqi. Për këtë arsye edhe sot e kësaj dite në Turqi gjenden shumë “arnautë” (që do të thotë, shqiptarë).

Në nëntor të vitit 1968 në Prishtinë dhe në shumë qytete tjera të Kosovës u zhvilluan demonstrata masive. Në këto demonstrata u kërkua e drejta për dygjuhësi, (shqip dhe serbisht, nëpër shkolla si dhe në administratë), bartja e flamurit kombëtar shqiptar, themelimi i një universiteti shqiptar si dhe statusi i një republike shqiptare brenda Federatës Jugosllave. Demonstratat u shtypën. Gjithsesi, me 1969 u themelua një universitet në gjuhën shqipe në Prishtinë, edhe flamuri kombëtar u lejua të mbahej, ndërsa gjuhët u barazuan me ligj. Ndërkaq, kërkesa për një republikë të Kosovës nuk u plotësua.

1974: Kosova fitoi një status autonomie brenda Federatës Jugosllave dhe njëkohësisht mbeti pjesë përbërëse e Republikës Serbe. Asgjë nuk ndryshoi për sa i përket prapambetjes ekonomike të Kosovës krahasuar me republikat tjera. Standardi jetësor i Kosovës ishte i mjerë. U krijua një proletariat akademik me arsim të lartë, i cili pas studimeve nuk kishte kurrfarë shprese për ndonjë perspektivë profesionale në të ardhmen.

Papunësia në Kosovë, krahasuar me Slloveninë, ishte gjashtë herë më e lartë. Standardi i sotëm jetësor, krahasuar me atë serb, akoma është dukshëm më i keq. Jugosllavisë së Titos nuk i shkoi përdore që të sheshonte hendekun e thellë veri-jug, duke qenë se nuk ekzistonte një plan social për të gjithë vendin. Socializmi vetëqeverisës i definonte ndërmarrjet si pasuri kolektive, që i bënin konkurrencë njëra-tjetrës. Kjo do të thoshte që peshku i madh të hajë të voglin. Edhe në rrafshin federativ bëhej luftë pa skrupuj kundër njëri-tjetrit për tortën ekonomike. Në vitet 70 shteti jugosllav po futej gjithnjë e më shumë në borxhe tek bankat e mëdha ndërkombëtare dhe tek Fondi Monetar Ndërkombëtar (IWF). Nga vitet 70 Jugosllavia tentoi që bankave ndërkombëtare dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar t’ua ofronte pasurinë minerare të kombinatit Trepça si garanci për kredi të reja. Trepça zotëronte pasuritë më të mëdha natyrore të ish-Jugosllavisë për sa i përket energjisë dhe lëndëve të para. Në Kosovë gjendeshin 51 për qind të rezervave të thëngjillit, 52 për qind të rezervave të plumbit e zinkut, 23.3 për qind të arit, argjendit dhe kromit, 35,6% për qind të magnezitit dhe në mes tjerash edhe të rezervave të tjera, si kobalti, kuarci e kaolina. Kosova prodhonte 70 për qind të plumbit dhe të argjendit të rafinuar në Jugosllavi. Për shqiptarët ishte gjë e tmerrshme që pikërisht krahas gjithë këtyre pasurive të varfëroheshin. Për këtë shkak autonomia u konsiderua si e pamjaftueshme dhe gjithnjë e më shpesh flitej për domosdoshmërinë e një republike për ta. Në ilegalitet krijoheshin organizata me orientim marksist për të organizuar kryengritjen.

Në mars dhe prill të vitit 1981 erdhi deri te një kryengritje e përgjithshme në Kosovë, duke pasur si pikënisje Universitetin e Prishtinës. Ushtria serbe e shtypi brutalisht kryengritjen. U shpallë gjendja e jashtëzakonshme dhe në Kosovë u dërguan 30.000 ushtarë. Në një seancë plenare të KQ (Komitetit qendror) të komunistëve serbë, Petar Stamboliqi deklaroi: “Kosova mbetet autonome brenda Serbisë.” Më pas mijëra e mijëra shqiptarë zhduken sërish nëpër burgjet serbe.

1982: në afërsi të Heilbronit, nga policia e fshehtë jugosllave u vranë vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla si dhe Kadri Zeka. Bëhej fjalë për krerët udhëheqës të kryengritjes se shqiptarëve të Kosovës me orientim marksist nga Enver Hoxha. Ata përfaqësonin Lëvizjen për një Republikë shqiptare në Jugosllavi. Sidomos me emrin e Jusuf Gërvallës sot quhen shumë klube shqiptare në Gjermani.

Në po këtë vit u themelua Lëvizja popullore, atëbotë enveriste, e Kosovës (LPK). Qëllimi i saj u deklarua lufta kundër titizmit, sepse ai kuptohej si një shmangie revizioniste nga marksizmi, si dhe kërkesa për Republikën e Kosovës dhe lirimi i Adem Demaçit. Pos kësaj ajo i pranonte si të vetat mësimet e Enver Hoxhës. Edhe sot e kësaj dite LPK vlerësohet nga Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës (Shërbimi informativ gjerman) si ekstremiste e majtë, me gjithë faktin e ndryshimeve të saj programore dhe të ndarjeve të shumta.

Në pranverë të vitit 1983 vdes Aleksandër Rankoviqi. Varrimi i tij kthehet në demonstrimin e parë të hapur të nacionalistëve serbë, të cilët Rankoviqin vazhdonin ta çmonin si mbrojtësin e serbizmit në Kosovë. Pranë varrit të tij u kërkua rikthimi i politikës së terrorit të hapur kundër shqiptarëve. Terrenin për pikëpamje të tilla e përhapte ato kohë shtypi serb me një intensitet në rritje.

Gjendja ekonomike e Jugosllavisë u përkeqësua ndjeshëm. Nga viti 1978 deri më 1983 borxhi i jashtëm u rrit nga 11 miliard dollarë në 20 miliard dollarë amerikanë. Papunësia u rrit në mënyrë rapide ndërsa pagat uleshin. E prekur ishte në veçanti Kosova. Nëse të ardhurat për kokë banori në vitin 1975 përbënin akoma 33 për qind të mesatares jugosllave, me 1980 këto zbritën në 29 për qind. Papunësia në Kosovë në vitin 1983 kishte kapur tashmë 30-për qindshin. Një shkak esencial për këtë gjendje qëndronte në faktin se për Kosovën ekzistonte një plan kolonial i shtetit serb. Përpos industrisë së rëndë, e cila u ngrit për grabitjen e lëndëve të para të Kosovës, nuk kishte interes që në këtë zonë të zhvillohej industria e lehtë.

1986: Slobodan Milosheviqi u bë funksionari më i lartë i komunistëve serbë. Në vjeshtën e këtij viti u publikua memorandumi famëkeq i Akademisë serbe të shkencave. Në të ulërihej kundër kushtetutës jugosllave të vitit 1974 dhe konstatohej kinse gjenocidi kundër popullit serb në Kosovë.

Lajtmotivi i këtij dokumenti ishte: në Jugosllavinë e Titos serbët ishin të diskriminuar. Në këtë dokument shqiptarët akuzoheshin se po lindnin shumë fëmijë dhe po tërhiqnin shumë ndihma sociale. Ky dokument racist u rrit mbi togun e plehrave të Dobrica Qosiqit, i cili qe përjashtuar nga partia komuniste me 1968 për shkak të nacionalizmit serbomadh. Mirëpo ky dokument përfaqësonte dhe një sulm kundër gjithë Jugosllavisë. Në po këtë vit u publikua romani racist antishqiptar “Rasti Martinoviq”. Në të insinuohet primitivizmi dhe bestilaiteti i shqiptarëve kundrejt burrave serbë si dhe qëllimet e tyre të përgjithshme përdhunuese kundrejt femrave serbe. Kjo paçavure harbute 500 faqe e trashë u publikua nga shtëpia botuese “Politika” në një tirazh prej pothuajse një milionë ekzemplarësh.

1987: Millosheviqi nisi të kalëronte kalin e nacionalizmit serb. Në këtë kohë Jugosllavia gjendej në një krizë të thellë ekonomike. Në vitin 1988 vendi përjetonte një shkallë inflacioni prej pothuajse 1000 për qind. Kushtet e IWF për sa i përket pagesës së përqindjeve të interesit mbi nivelin e borxhit të përgjithshëm të shtetit përfaqësonin një program social shkretërues. Dinari zhvlerësohej vazhdimisht. Ekzistonte një ndalesë e përgjithshme pagash ndërsa largimet nga puna ishin temë e ditës. Në Jugosllavi u zhvillua një lëvizje e gjerë multinacionale greviste kundër bankave dhe bosëve të kuq. Kulmin e arriti vala e grevave e vitit 1988, me një mijë aktivitete të regjistruara greviste. Në këtë kohë Millosheviqi luante gjithnjë e më fortë me kartën nacionale, me qëllim që të mbante në fuqi burokracinë serbe. Krerët tjerë bënë njësoj si ai, kështu që burokracia u përça sipas komponentëve nacionalë. Mirëpo më së pari koha e mobilizimit nacional të masave filloi në Serbi, në vitin 1987, me Millosheviqin si karrocier. Kosova u shpall si fushëbeteja qendrore.

Me 27 prill 1987 Millosheviqi organizoi një miting të madh popullor në Kosovë. Atje agjentët e fshehtë serbë provokuan një përleshje me policët regjionalë shqiptarë. Millosheviqi e shfrytëzoi situatën për të thirrur para serbëve të pranishëm: “Askush nuk ka të drejtë t’ju godasë”. Shtypi serb menjëherë ngriti më lart racizmin antishqiptar. Shqiptarët diskreditoheshin për çdo ditë si përtacë, poligamë dhe kriminelë.

Në vjeshtën vitit 1987 titisti i vjetër shqiptar Fadil Hoxha mori kurajë që të kundërshtonte përdhunimin e përgjithshëm të femrave serbe nga shqiptarët. Kësisoj ranë të gjitha barrierat: banda e Millosheviqit organizoi në të gjithë vendin demonstrata masive në të cilat thirrej “Fadil Hoxha në litar” dhe “Azem Vllasi jashtë nga Jugosllavia”. Fadil Hoxha ishte anëtar i Kryesisë Federative Jugosllave ndërsa Azem Vllasi shef i Lidhjes komuniste në Kosovë. Fadil Hoxha u përmbys në vjeshtë të vitit 1987, ndërsa Azem Vllasi u shkarkua nga pozita e shefit partiak të Kosovës në nëntor 1988. Në nëntor të vitit 1987, në Plenumin e tetë të KQ të komunistëve serbë, Millosheviqi hoqi qafe rivalin e tij të fuqishëm brendapartiak, ish-mikun e tij të dikurshëm, Ivan Stamboliqin. Në këtë mënyrë, në luftën nacionale, Millosheviqi u shndërrua në një prijës të pakontestueshëm. Edhe kryebashkiaku i dikurshëm i qytetit të Beogradit dhe arkitekti me famë botërore, Bogdan Bogdanoviqi, pas Plenumit të tetë u përjashtua nga KQ, pasi që kishte kritikuar me shkrim çmendurinë shoviniste të këtij plenumi. Për shkak të mënjanimit të Azem Vllasit dhe kërcënimit për heqjen e autonomisë, në nëntor të vitit 1988 mijëra punonjës të kombinatit Trepça marshuan nga Zveçani dhe Mitrovica drejt Prishtinës. Ata bartnin me vete flamuj shqiptarë e jugosllavë, si dhe fotografi të Titos.

Në të kundërtën, gjatë gjithë vitit 1988 mobilizimi masiv serb kishte pamje krejtësisht të tjera. Në mitingjet për udhëheqësin Millosheviq përziheshin flamujt e kuq me simbolet çetnike. Edhe kleri ortodoks i ofroi mbështetjen e vet Millosheviqit. Nëpër tubime përsëritej vazhdimisht: “Kosova është fjala më e shtrenjtë serbe”. Për Titon as që bëhej fjalë më. Kryesia e Republikës Serbe në verë të vitit 1988 dekretoi ndryshimet kushtetuese, të cilat do të kufizonin autonominë e Kosovës. Njëkohësisht, nëpër Kosovë po formoheshin hapur shoqata paramilitare serbe me simbole dhe materiale fashiste çetnike.

Në shkurt 1989 në Kosovë shpërthyen greva që morën përmasat e një greve të përgjithshme. Punonjësit kishin kërkesa për ruajtjen e autonomisë si dhe të tilla me natyrë sociale. Qendra e grevës ishin minierat e minatorëve të Trepçës. Nga 21 deri më 28 shkurt u zhvillua një grevë urie e minatorëve. Ata bënin grevë nën flamuj të kuq si dhe nën flamuj jugosllavë e shqiptarë. Sipas të dhënave zyrtare jugosllave, në kuadër të shtypjes së kësaj greve në Kosovë pati 29 të vdekur. Shtypi ekonomik perëndimor lavdëronte në këtë kohë Millosheviqin si reformator ekonomik jodogmatik. Gjatë muajit mars parlamenti i Kosovës faktikisht qe i detyruar që nën kërcënimin e dhunës të hiqte dorë nga autonomia e Kosovës në interes të Serbisë së madhe. Politikanë shqiptarë, si Azem Vllasi, si dhe drejtori i kombinatit Trepça, Aziz Abrashi, ashtu si dhe drejtori i minierës lokale, bashkë me shumë aktivistë të tjerë sindikalë, u arrestuan. Pas këtyre ngjarjeve Kosova u pushtua nga forcat ushtarako-policore jugosllave. Me 28 qershor një milion serbë festuan në Fushë të Kosovës 600-vjetorin e betejës. I rrethuar me simbole ortodokse të kishës serbe si dhe me flamuj fashisto-çetnikë, Millosheviqi foli mbi mundësinë e luftërave të reja dhe deklaroi ekzaktësisht: “Për herë të parë që prej 600 vitesh serbët në Kosovë janë vërtetë të lirë”. Në korrik të vitit 1990 tragjedia vazhdoi rrjedhën e saj. Deputetët e parlamentit në Prishtinë u penguan që të hynin në ndërtesën e kuvendit. Në këto rrethana ata shpallën në rrugë të hapur themelimin e një Republike të Kosovës brenda federatës jugosllave. Autoritetet serbe shpërndanë definitivisht parlamentin dhe dekretuan një gjendje të përhershme të jashtëzakonshme. Pushteti ekzekutiv u mor përsipër nga një grup rreth nënkryetarit të parlamentit jugosllav, Momçillo Trajkoviq. Në fillim të shtatorit, kuvendi i shpërndarë, i cili nuk u njoh nga Beogradi dhe as nga bashkësia ndërkombëtare, shpalli kushtetutën vetjake për Republikën e Kosovës. Në nenin 1 të saj theksohej barazia e të gjitha nacionaliteteve në Kosovë. Gjatë korrikut parlamenti i Beogradit dekretoi një varg ligjesh të ndryshme lidhur me Kosovën, mes tjerash një ligj për punën, në të cilin parashihej dhe një ndalim i përgjithshëm për grevat, si dhe një deklaratë lojaliteti për punonjësit shqiptarë që duhej ta jepnin kundrejt shtetit serb.

Gjuha shqipe u ndalua të përdorej në libra pune dhe në recetat mjekësore. Drejtorët e ndërmarrjeve të caktuar nga Serbia u udhëzuan që punonjësve tu lejonin vizita mjekësore vetëm te mjekët serbë. Me metoda të tilla, faktikisht, të gjithë mjekët e kualifikuar shqiptarë u shkarkuan nga puna.

Në shtator të vitit 1990 u organizua një grevë e re e përgjithshme e punonjësve kosovarë, e cila gjithashtu u shtyp me dhunë. Në bazë të Ligjit serb mbi arsimin për Kosovën, si në universitet, ashtu dhe në shkollat tjera të larta, mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën serbe. Deri në fund të vitit 1990 të gjitha postet administrative si dhe të gjitha postet publike u uzurpuan prej serbëve. Të gjithë mësuesit shqiptarë u shkarkuan nga puna, ashtu siç të gjithë mjekët shqiptarë u detyruan të lëshonin spitalet.

Në vitin 1996 kishte 146 mijë punonjës shqiptarë të larguar nga puna. Shumica syresh humbën dhe banesën e dhënë nga ndërmarrja punuese dhe nuk kishin të drejtë për kompensimin e të papunëve, duke qenë se ishin të konfrontuar me një ligj racist serb që ua refuzonte ndihmën. Mësimi shkollor serb nga shtatori i vitit 1990 u bojkotua nga shqiptarët. U ngrit një sistem shkollor ilegal dhe u krijua një sistem shëndetësor paralel, gjë që ishte sidomos e nevojshme, pasi që mjekët e caktuar nga Beogradi refuzonin trajtimin e shqiptarëve. Shteti paralel shqiptar financohej përmes donacioneve të emigracionit kosovar në Evropë, i cili që nga viti 91 ndante nga 3 për qind të të ardhurave në një fond për këtë qëllim. Megjithatë, shoqëria kosovare nuk arrinte dot përkujdesjen e mjaftueshme mjekësore, sepse mungonin aparate moderne medicinale, medikamentet adekuate etj. Vdekshmëria e foshnjave dhe fëmijëve në Kosovë në vitet 90 përjetoi një rritje dramatike, gjersa nisën të rishfaqen papritur dhe sëmundje infektive qëmoti të tejkaluara.

1991: midis 26 dhe 30 shtatorit, në një referendum jozyrtar, u mor vendim për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Kjo rezultoi me formimin e një qeverie nën udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Për kryeministër u zgjodh Bujar Bukoshi, ndërsa LDK-ja udhëhiqej nga Ibrahim Rugova. Shoqata Shqiptare për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë publikoi shifrat sipas të cilave që nga vitit 1981 në Kosovë rreth 600 mijë shqiptarë kishin përjetuar arrestime afatgjata ose afatshkurtra policore. Kjo do të thoshte se, po të llogaritej popullsia e gjithmbarshme në këtë vit, çdo i treti shqiptar ose shqiptare kishte qenë i arrestuar së paku një herë. Adem Demaçi, i cili kishte qenë për 28 vjet nëpër burgjet jugosllave, tërhiqte vërejtjen për aktet gjithnjë e më të shpeshta arbitrare pas heqjes së autonomisë. Në kuadër të luftërave brenda-jugosllave, organet serbe të sigurimit shkonin në Kosovë që përmes grabitjes dhe keqtrajtimit të popullsisë shqiptare të vetëfurnizoheshin. Në armatën jugosllave shqiptarët rekrutoheshin me dhunë dhe dërgoheshin qëllimisht në radhët e para të frontit të luftës kundër kroatëve dhe sllovenëve. LPK- ja, një organizatë që në Gjermani, sipas raporteve të Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (Shërbimi informativ gjerman) akoma vazhdon të quhet ekstremiste e majtë, vendosi të organizojë sistematikisht luftën e armatosur kundër Serbisë. Kursi pacifist i Rugovës u hodh poshtë.

Në maj të vitit 1992 në Kosovë u mbajtën zgjedhje parlamentare të cilat Beogradi i shpalli menjëherë si të paligjshme. LDK-ja fitoi numrin më të madh të votave. Në zgjedhjet e njëkohshme presidenciale fitoi kandidati i vetëm, Ibrahim Rugova. Ai dhe Bukoshi u përpoqën në këtë vit të ndërkombëtarizonin konfliktin. Për këtë qëllim ata vizituan shumë kryeqendra evropiane. Politika e tyre pacifiste ishte e orientuar në një shtet paralel të shqiptarëve në Kosovë me shpresën që të njihej nga bota. Mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi. Në Beograd u dekretuan shumë ligje që në mes tjerash secilit serb që vendosej në Kosovë, i siguroheshin falas pesë hektarë tokë dhe do të gëzonte lehtësira tatimore. Kjo ndërkaq nuk pati shumë sukses. Në dhjetor, në zgjedhjet parlamentare në Serbi, Partia radikale u bë fuqia e dytë pas socialistëve. Prijësi i radikalëve, Shesheli, gjatë fushatës zgjedhore kërkonte hapur dëbimin e shqiptarëve. Një numër sidomos të madh votash radikalët i morën midis popullsisë serbe në Kosovë.

1993: Në tetë muajt e parë të vitit 1993, sipas të dhënave të organizatave për të drejtat e njeriut nën drejtimin e Adem Demaçit, ndodhën më shumë se 5.700 raste keqtrajtimesh dhe më shumë se 1400 arrestime. Nga qershori deri në shtator policia bastisi mbi 2500 shtëpi. Deri më 1993 mbi 370.000 shqiptarë e lëshuan Kosovën. Kjo tendencë do të rritej në vitet që do të pasojnë.

1994: Me 29 shtator Ukshin Hoti e mbajti mbrojtjen e tij të njohur para gjyqit serb në Prizren ku argumentoi të drejtën e shqiptarëve për bashkim dhe ku kërkoi nga establishmenti politik serb që ta njihnte dhe ta mbështeste këtë realitet. Ukshin Hoti përfaqëson udhëheqësin shpirtëror të pjesës më vitale e më nonkonformiste të shoqërisë kosovare, artikuluesin më të spikatur politik të kërkesave dhe aspiratave të shqiptarëve të Kosovës që nga viti 1981 deri më 1999. Gjykata serbe e dënoi për shkak të aktivitetit të tij politik me 5 vjet burg të cilat i mbaroi me 17 maj 1999. Sapo doli nga burgu i Dubravës me 16 maj (ditë e diel), në kohën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, Ukshin Hotit i humbet çdo gjurmë.

Një komunikatë e publikuar me 17 nëntor të këtij viti shënon për të parën herë ekzistencën e UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), një organizatë ushtarake e themeluar nga LPK-ja.

1995: Marrëveshja në Dejton për shqiptarët përfaqësonte një zhgënjim të madh. Lufta në Bosnjë kishte mbaruar, Millosheviqi ishte akceptuar si partner negociues, Kosova, ndërkaq, qe vetëm një temë margjinale. Shteti i pavarur i Kosovës qe njohur vetëm prej Shqipërisë. Ishin të shumtë ata që vunë në pikëpyetje në mënyrë kritike politikën paqësore të Rugovës. Në këtë vit Adem Demaçi mori drejtimin e Partisë parlamentare të Kosovës (PPK). Ai u bë kritiku numër një zyrtar i politikës pasive të Rugovës. Emri i partisë së tij "Partia parlamentare" mund të kuptohej si kritikë ndaj Rugovës, i cili parlamentin që u zgjodh dikur nuk e mblodhi kurrë në një seancë.

Në shkurt 1996 ndodhën shumë sulme me bomba kundër institucioneve serbe për të cilat përgjegjësinë e mori UÇK. Kohë pas kohe jepeshin komunikata të Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së për aksionet e tyre të armatosura, si dhe komente politike ditore. Në vjeshtë të këtij viti Adem Demaçi prezantoi para opinionit projektin e tij "Ballkania". Në të propozohej një federatë vullnetare e shteteve të pavarura - e përbërë nga Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Në dimër të vitit 1996/97 Demaçi shkoi në Beograd për të biseduar me drejtues ithtarë të lëvizjes kundër Millosheviqit. Bisedimet dështuan sepse askush s'ishte i gatshëm që të mbështeste të drejtën demokratike të shqiptarëve për vetëvendosje nacionale ose që të diskutonte projektin e tij për Ballkaninë. Demaçi u distancua nga opozita jugosllave, njëkohësisht kritikonte me ashpërsi pasivitetin e Rugovës, të cilit, me rastin e vizitës së tij në SHBA, i vuri në dukje: "Të shpresosh për një intervenim gjersa bllokon aktivitetet e brendshme." Në nëntor UÇK-ja u paraqit për të parën herë e uniformuar në një manifestim publik. Shkas ishte vrasja e një mësuesi shqiptar.

1995: Marrëveshja në Dejton për shqiptarët përfaqësonte një zhgënjim të madh. Lufta në Bosnjë kishte mbaruar, Millosheviqi ishte akceptuar si partner negociues, Kosova, ndërkaq, qe vetëm një temë margjinale. Shteti i pavarur i Kosovës qe njohur vetëm prej Shqipërisë. Ishin të shumtë ata që vunë në pikëpyetje në mënyrë kritike politikën paqësore të Rugovës. Në këtë vit Adem Demaçi mori drejtimin e Partisë parlamentare të Kosovës (PPK). Ai u bë kritiku numër një zyrtar i politikës pasive të Rugovës. Emri i partisë së tij “Partia parlamentare” mund të kuptohej si kritikë ndaj Rugovës, i cili parlamentin që u zgjodh dikur nuk e mblodhi kurrë në një seancë.

Në shkurt 1996 ndodhën shumë sulme me bomba kundër institucioneve serbe për të cilat përgjegjësinë e mori UÇK. Kohë pas kohe jepeshin komunikata të Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së për aksionet e tyre të armatosura, si dhe komente politike ditore. Në vjeshtë të këtij viti Adem Demaçi prezantoi para opinionit projektin e tij “Ballkania”. Në të propozohej një federatë vullnetare e shteteve të pavarura – e përbërë nga Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Në dimër të vitit 1996/97 Demaçi shkoi në Beograd për të biseduar me drejtues ithtarë të lëvizjes kundër Millosheviqit. Bisedimet dështuan sepse askush s’ishte i gatshëm që të mbështeste të drejtën demokratike të shqiptarëve për vetëvendosje nacionale ose që të diskutonte projektin e tij për Ballkaninë. Demaçi u distancua nga opozita jugosllave, njëkohësisht kritikonte me ashpërsi pasivitetin e Rugovës, të cilit, me rastin e vizitës së tij në SHBA, i vuri në dukje: “Të shpresosh për një intervenim gjersa bllokon aktivitetet e brendshme.” Në nëntor UÇK-ja u paraqit për të parën herë e uniformuar në një manifestim publik. Shkas ishte vrasja e një mësuesi shqiptar.

Në tetor 1997 ndodhën protesta masive të padhunshme studentore në Prishtinë. Ata kërkonin të drejtën që të riktheheshin në universitet. Ata demonstruan njëkohësisht kundër politikës së pritjes së Rugovës, i cili kishte lidhur një marrëveshje arsimore për normalizimin e mësimeve me Millosheviqin. Kjo ndërkaq, nuk ndryshoi gjë në sistemin arsimor të shqiptarëve. Në vend të kësaj, marrëveshja kinse progresive Rugova-Millosheviq u shfrytëzua nga autoritetet federale gjermane si shkak që të refuzoheshin se të pabaza kërkesat e shqiptarëve për strehim. Në demonstratë u atakua Rugova dhe gjithnjë e më shumë u brohorit “Drenica, Drenica”. Zona e Drenicës në ndërkohë ishte bërë njëra ndër bazat kryesore të UÇK-së. Rugova atje kishte humbur ndikimin e tij politik. Në nëntor dhe dhjetor 1997 UÇK-ja intensifikoi aktivitetet e saj ushtarake.

1998: Adem Demaçi e akceptoi ekzistencën e një organizate ushtarake çlirimtare, përderisa Rugova akoma edhe në mars të vitit 1988 te UÇK-ja shihte një sajesë të shërbimit të fshehtë jugosllav. Me 23 shkurt ambasadori amerikan i ngarkuar për Ballkanin, Gelbart, UÇK-në e karakterizoi si organizatë terroriste. Në një bisedë me Millosheviqin ai garantonte kufijtë e Jugosllavisë. Me 28 shkurt Millosheviqi urdhëroi një sulm masiv kundër zonës së Drenicës. Në fillim të marsit njësitë serbe vranë 58 anëtarë të familjes Jashari. Në këtë mënyrë, bashkëthemeluesi i UÇK-së, Adem Jashari, u bë hero nacional i shqiptarëve të Kosovës. Në pranverë të vitit 1997 lufta e UÇK-së fitoi në intensitet dhe përfitoi nga kryengritja në Shqipëri. Atëbotë armata shqiptare ishte shpërndarë dhe aktivistët e UÇK-së mundën të armatoseshin. UÇK-ja tani kishte në Kosovë një bazë absolute tek masat. Ndërkaq Rugova me 22 mars i organizoi zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Nga opozita shqiptare ato u refuzuan me ashpërsi. “Në luftë nuk bëhen zgjedhje” – ishte motoja e tyre. Në këtë mënyrë Rugova u zgjodh sërish president i shqiptarëve të Kosovës. Me 23 mars Rugova negocioi me Beogradin për implementimin e marrëveshjes arsimore. Bashkësia ndërkombëtare përpiqej që të ndërpriste luftën e armatosur dhe të negocionte një zgjidhje kompromisi. Mirëpo UÇK-në nuk e ndalonte më kush. Ajo u shndërrua në një faktor të fuqishëm politik.

Në prill dhe maj UÇK-ja mori nën kontroll rreth 40 për qind të territorit të Kosovës. Në këtë kohë ndërmjetësit amerikanë Holbruk dhe Gelbart nxitën Rugovën për të negociuar direkt me Millosheviqin në mënyrë që të gjendej një zgjidhje, sepse, çdo pritje e mëtejshme do ta forconte UÇK-në, gjë që do të vështirësonte gjithnjë e më shumë zgjidhjen. Me 15 maj u zhvilluan bisedime direkte midis Millosheviqit dhe Rugovës. Në qershor pasoi një ofensivë e madhe e armatës jugosllave kundër zonave të UÇK-së. Ofensiva siguroi fitim terreni mirëpo ishte e qartë se UÇK-ja tani nuk mund të shkatërrohej. U shfaqën flukse të mëdha refugjatësh brenda Kosovës. Në nëntor 1998 rreth 350 mijë njerëz ndodheshin në arrati. Gjatë verës, politika e disa vendeve perëndimore në raport me UÇK-në ndryshoi. Ajo nisi të njihej si një realitet. Sipas deklaratës së Wolfgang Petritsch-it, negociatorit të atëhershëm të BE për Ballkanin, dhe si i tillë edhe në Rambouillet 2, bëhej fjalë për sa vijon: “Ne duhej të identifikonim një grupim të gatshëm për bisedime brenda UÇK-së, atë e gjetëm në grupimin rreth Hashim Thaqit”. Rruga e diktateve të Rambuje-së ishte sheshuar.

1999: Me 6 shkurt filluan bisedimet në Rambuje. Në të vërtetë bëhej fjalë për një diktat që do të përkulte palët jugosllave e shqiptare të urdhëruara për të ardhur këtu. Pas bisedimesh për javë të tëra, marrëveshja nuk u nënshkrua, për habi të shumicës, as nga shqiptarët e Kosovës. Sidomos Hashim Thaqi refuzoi nënshkrimin, ngaqë në kontratë nuk bëhej fjalë as për ndonjë shtetësi dhe as për ndonjë pavarësi shqiptare. Përpos kësaj kërkohej dhe çarmatosja e UÇK-së. Fraksioni ushtarak i Drenicës i krijuar nga diplomacia ndërkombëtare, si dhe zëdhënësi politik i UÇK-së, Adem Demaçi, i cili nuk merrte pjesë në bisedime, dokumentin e refuzuan me vendosmëri. Hashim Thaqi dhe Rexhep Qosja, drejtues i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike (LBD), u vunë nën presion.

Me 22 shkurt shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, shkroi në “Le Monde“ një letër të hapur drejtuar delegacionit shqiptar dhe tërhiqte vërejtjen për radikalët e papërgjegjshëm. Sipas raporteve të pjesëmarrësve në bisedime, si ministrja e jashtme amerikane, ashtu dhe Joshka Fisheri, kërcënuan personalisht Hashim Thaqin nëse nuk do të nënshkruante. Me 23 shkurt konferenca u ndërpre, për t’i dhënë mundësinë Thaqit për të bindur kosovarët. Adem Demaçi e refuzonte marrëveshjen si një kapitullim, dhe dha dorëheqjen si zëdhënës politik i UÇK-së.

Në Paris konferenca i vazhdoi punimet me 15 mars. Me 18 mars, në emër të delegacionit shqiptar, marrëveshjen e nënshkroi botuesi i së përditshmes “Koha ditore”, Veton Surroi. Me 24 mars filluan sulmet e NATO-s kundër Jugosllavisë. Në qershor Kosova u vu nën protektoratin ndërkombëtar. Gjatë luftës haraçin më të madh në gjak e pagoi UÇK-ja. Ajo nuk u furnizua prej NATO-s me armatime moderne ushtarake, ngaqë në zonën e Kosovës të administruar prej UNMIK-ut (Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë) sipas rezolutës së OKB 1244 ajo do të duhej çarmatosur. Kosova do të mbetej edhe më tej pjesë përbërëse e Jugosllavisë.



2Rambuje është një lokalitet në Paris, në të cilin me 199 u negociua një marrëveshje paqësore e projektuar prej NATO-s midis Jugosllavisë dhe udhëheqjes së shqiptarëve të Kosovës.



Biografia e shkurtër e autorit

Max Brym i lindur më 1957 në Gjermani, është studiues i filozofisë dhe gazetar i pavarur. Për dekada me radhë ai merret me zhvillimet politike në Kosovë. Autori ka shkruar artikuj të shumtë për çështjet ekonomike, sociale dhe mjedisore në rajon.

Brym është njohës i situates politike dhe sociale në Kosovë dhe ligjeron në Universitetin publik të Prishtinës si bashkëpunëtor i jashtëm në kuadër të projekteve të ndryshme.

Brym aktualisht me gruan dhe dy vajzat e tij jeton në Mynih të Gjemanisë.