Aktuelles aus Prishtinë (Pristina), Mitrovica, Prizren, Prizeren, Pejë, Pec - Historisches zu Kosova und UCK
10:46
18.06.2019

Vollbild anzeigenTë shtunën, më 15.06.2013 në Bernë të Zvicrës, organizuar nga sindikata Unia dhe Fondacioni Solifonds dhe mbështetur edhe nga Solidar Suisse u mbajt një manifestim mbi situatën e sigurisë sociale në Kosovë. Në ketë tubim të moderuar nga historiani zviceran dhe njohësi i lëvizjes punëtore Hans Schäppi, njëherazi edhe kryetar i Fondacionit Solifonds, përpos zviceranëve e shqiptarëve pati pjesëmarrës edhe nga radhët e migrantëve italian, portugez, etj., e

të cilët u inkuadruan aktivisht dhe me pyetjet dhe diskutimet e tyre pasuruan këtë manifestim.   

Me këtë rast u mbajtën dy referate, njëri nga Max Brym, themelues i gazetës elektronike Kosova-Aktuell dhe ligjërues i kohëpaskohshëm në fakultetin filozofik të Universitetit të Kosovës, ndërsa tjetri nga Osman Osmani, sekretar për migracion në Unia dhe anëtar i komitetit për politikë sociale në Lëvizjen Vetëvendosje! Më pas u zhvillua një tryezë diskutimi ku morën pjesë edhe Barbara Burri Sharani, ish drejtuese e zyrës zvicerane për zhvillim e bashkëpunim në Kosovë dhe aktualisht menaxhere projektesh në Solidar Suisse dhe Ruzhdi Ibrahimi, specialist i sigurimeve shoqërore dhe i punësuar në Arkën e sigurimit të papunësisë në Unia të Bazelit.

Kosova nuk duhet të shërbejë si eksperiment neoliberal

Max Brym në referatin e tij kritikoj rreptë procesin privatizues në Kosovë. Sipas tij procesi privatizues Kosovës i kushtoj 76’000 vende të humbura pune. Mesatarisht sipas Brym me rastin e secilit privatizim humben 50% e vendeve të punës. Punëtorët e mbetur në ndërmarrjet e privatizuara nuk gëzojnë kurrfarë të drejtash. Përmes shembujve konkret Brym atakoi procesin e privatizimit. Sipas tij “pasuria e vendit po falet”.

Ndër të tjera Brym tha: “Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës (PTK) u privatizua para pak kohësh për 75%. PTK ishte ndërmarrja publike më rentabële e Kosovës: Vetëm mes viteve 2007 dhe 2011 PTK arriti të shënojë një fitim prej gati 400 miliona Eurosh. Tani PTK-ju iu bartë një firme të dyshimtë AXOS GmbH në Hamburg  për vetëm 277 milion.

Shpërndarësi  e rrymës KEK u bë rrush e kumbulla për vetëm 27 milion. Si pasoj u bë rritja enorme e faktuarave të rrymës në Kosovë”. Brym vijoj më pas të kritikoj faktin se në Kosovë janë duke u krijuar monopole private-kapitaliste, të cilat shfrytëzojnë lëndën e parë, në asnjë mënyrë nuk pranojnë të drejtat e punëtorëve dhe profitin e transferojnë në shoqërinë e tyre amë, pa paguar asnjë lloj tatimi në Kosovë.

Brym në fjalën e tij  kërkoj të kundërtën, që pasuria publike të shërbejë për interes të njerëzve të zakonshëm. Ai mes tjerash tha: “Trepça nuk duhet të privatizohet dhe privatizimet e bëra duhet të prishen. Kosova si vend  është shumë i pasur dhe popullata gjithmonë e më e varfër. Kjo situatë nuk duhet të tolerohet edhe më tej”.

Brym e vuri Kosovën në kontekstin e politikës neoliberale në Evropë, me ç’rast ai theksoj: “Kosova ishte dhe mbetet një eksperiment neoliberal në Evropë. Kosova është vendi më i varfër i Evropës, mirëpo gjithnjë e më shumë shtete në Evropë në kuadër të krizës kapitaliste po i afrohen standardeve të Kosovës. Është e nevojshme rezistenca ndërkombëtare e lëvizjes punëtore kundër KOSOVARIZIMIT të pjesëve tjera të Evropës. Gjithkund duhet të ketë rezistencë sociale”.

Mbretëron situatë dëshpëruese

Në prezantimin vijues referuesi Osman Osmani, pasi bëri një pasqyrim të situatës së përgjithshme të vështirë sociale në Kosovë duke e pasqyruar atë edhe me shembuj aktual konkret, ai analizojë edhe situatën tejet të vështirë të sindikatave në Kosovë. Në vijim po shkëpusim pjesë nga fjala e tij: “Situata sociale e politike në Kosovë sa vjen e po bëhet më e rëndë. Gjysma e popullsisë është e papunë, pra, çdo i dyti person i moshës madhore në Kosovë, në anën tjetër edhe ata që punojnë, shumica e tyre mezi sigurojnë mbijetesën dhe nuk gëzojnë as të drejta minimale.

 

Si rezultat i papunësie, 45% e popullit të Kosovës jeton në varfëri, ndërsa 18% jeton në varfëri ekstreme – me më pak se 0.90 cent në ditë. Është tejet e arsyeshme që kjo gjendje e rëndë të ndikojë në tregun e punës, e veçanërisht në marrëdhënien në mes të kërkesës dhe ofertës, andaj, programet e rregullimeve strukturore të ekonomisë, përmes privatizimit të egër, e kanë rënduar edhe më shumë situatën e punëtorëve në Kosovë, si në aspektin e realizimit dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, ashtu edhe në kushtet e tregut të punës

 

Ndërsa sa për të ilustruar të arriturat drejt “perspektivës evropiane” të trumbetuar nga qeveritarët, po theksojmë fenomenin rrëqethës që ka kohë po e përcjell kohët e fundit po përcjell regjionin e Anamoravës. Rreth 3000 qytetarë edhe të fshatrave të Vitisë, Gjilanit e Ferizajt me rrethine vetëm javën e fundit, kanë lënë thyqafas vendin përmes Serbisë në Hungari, me qëllim të arrijnë në njërin nga shtetet e zhvilluara të Evropës (Zvicra, Gjermania, Franca), për një jetë më të “mirë” dhe për të mbajtur familjet e tyre. Derisa qytetarët e Kosovës; rinia dhe fuqia punëtore e intelektuale e Kosovës, po i braktisin dëshpërueshëm shtëpitë dhe vendin e tyre, duke rrezikuar jetët e tyre për mbijetesë, politika dhe shteti i Kosovës aq që merr mundin të reagon për këtë?! Ky fenomen do të duhej të shqetësonte institucionet kombëtare? Kjo pasqyron më së miri situatën sociale në Kosovë? Kjo tregon se sa shumë larg jemi nga “perspektiva Evropiane” që trumbetojnë gazetarët, analistët e ndryshëm dhe qeveritarëve tanë.

 

Për sindikata të mirëfillta në Kosovë

Shkelja e të drejtave të punëtorëve është si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Moszbatimi i ligjit të punës; mosrespektimi i orarit 8 orësh, mungesa e kontratave të punës dhe e rrogës të garantuar minimale, mungesa e mbrojtjes ligjore në rast të sigurie, lëndimi apo rrezikimi të shëndetit në punë, mos-pagesa për orët shtesë të punës, etj, etj. Punonjësit e Kosovës janë të shfrytëzuar rëndë, trajtohen në mënyrë çnjerëzore, ndërsa edhe paga që marrin nuk mjafton as për mbijetesë.

Ka kohë që sindikatat në Kosovë përballen me një krizë serioze: zvogëlimi i numrit të anëtarëve, ankorim i varfër para së gjithash në sektorin privat, ankorim i varfët në regjione, fragmentim (copëtim) i sindikatave, varësia nga partitë politike në pushtet, përfshirje në procesin e privatizimit dhe shpronësimit të pasurisë shoqërore.

Protestat e ndryshme të sindikatave, të cilat për shkak të përçarjeve të shumta humbin fuqinë, nuk kanë arritur asnjë përmirësim bile qoftë ai edhe simbolik. Sindikatat vuajnë ndër të tjera edhe nga:

-       Humbja e anëtarëve në fushat kryesore, duke u nisur nga ndërmarrjet dhe shërbimet publike (administratë, arsim shëndetësi) si dhe në industri, posaçërisht sektorin privat krejtësisht i paorganizuar si në ndërtimtari dhe sektorët anësor të ndërtimtarisë;

-       mplakja: grupet e interesit si gratë, rinia të nën-përfaqësuara;

-       Rritja e fushave e sektorëve të rëndësishëm, si ai terciar i tërësishëm, i pa organizuar;

-       Humbja e aftësisë mobilizuese dhe mobilizimit për greva, mungesa e fuqisë për kontraktim me ndërmarrje të kontratave të përgjithshme të punës. Në politikë sindikatat nuk kanë aftësinë e avancimeve legjislative;

-       Toni vajtues në media: sindikatat do të zhduken

 

Do të ishte e nevojshme formulimi i një projekti sindikal me qëllime të qarta: Tejkalimi i copëzimit sindikal, ndërtimi ndër-profesional dhe ndër-sektorial, ankorim nëpër regjione, organizimi i shkretëtirave sindikale, rritja e aftësisë mobilizuese, pavarësia politike nga pushtetarët, përforcimi i bashkëpunimit me sindikatat e Shqipërisë,  pastaj me ato të Evropës juglindore dhe në përgjithësi të Evropës dhe tërë Botës.

 

Pikënisje për jetësimin do të ishte bashkëpunimi i sindikatave të veçanta përparimtare dhe të gatshme për reforma në bashkëpunim konkret, si dhe kooperimi me faktor tjerë nga jeta publike e politike. Një reformë e tërësishme „nga lart“, kjo d.m.th. përmes çatisë së sindikatave të bashkuara, edhe për Zvicrën, ishte një iluzion.

 

Në fund të fjalës së tij, Osmani apeloi tek bashkëkombësit e pranishëm  të angazhohen dhe organizohen sikur në Zvicër për të drejtat e tyre si punëmarrës dhe si komunitet shqiptar e edhe si migrantë, ashtu edhe për të mbështetur sindikatat në vendin amë dhe lëvizjet përparimtare sociale atje, duke u kujdesur kështu edhe për transferimin e përvojave dhe njohurive pozitive shoqëroro-politike të dëshmuara në shoqërinë amë.

 

Në thumb edhe Marrëveshjes mbi sigurimet shoqërore Zvicër – Kosovë

Në pjesën e dytë u zhvillua një tryezë diskutimi të cilës i paraprinë fjalët e shkurtra por kuptimplote të Barbara Burri Sharani dhe të Ruzhdi Ibrahimit. Ata pos tjerash vunë në thumb problematikën e Marrëveshjes ndërshtetërore për sigurimet shoqërore mes Zvicrës dhe Kosovës, gjë që kontribuon për përkeqësimin e mëtejmë të situa të përgjithshme sociale të qytetarëve të Kosovës.

Pas prezantimit kronologjik që i bëri historianit të kësaj problematike dhe analizës sikur përmbajtjesore ashtu edhe juridike, specialisti i sigurimeve shoqërore, Ruzhdi Ibrahimi përmbylli referimin e tij me përfundimin se është evidente diskriminimi i pashembullt në Zvicër që u bëhet qytetarëve të Republikës së Kosovës, edhe përkundër vendimeve gjyqësore në favor të qytetarëve të Kosovës dhe në favor të zbatimit të Marrëveshjes, e të cilat refuzojnë ti zbatojnë sikur deri më tani Enti federal për sigurimet shoqërore, ashtu edhe së fundi vet Qeveria zvicerane. Ai kritikoi jo vetëm shkaktuesit  e anulimit të Marrëveshjes në fjalë nga radhët e partive të djathta në Zvicër, por kritikoi edhe pasivitetin dhe injorimin e kësaj çështjeje nga ana e zyrtarëve dhe qeverisë së Kosovës.

Diskutimet pasues edhe të pjesëmarrësve nga podiumi, kishte të bënte në njërën anë me problemet sociale në Kosovë, ndërsa në anën tjetër me Marrëveshjen në fjalë. Në diskutim morën pjesë aktive edhe punëtorët dhe aktivistët sindikal shqiptarë, ata portugezë e italianë, krahas sindikalistëve dhe politikanëve zviceranë.

Sikur për referatet ashtu edhe për diskutimet e këtij manifestimi u bë përkthim simuluan në të dy gjuhët, gjermanisht dhe frëngjisht.

Nga http://tung.ch/konferenca-ne-berne-drejtesia-sociale-ne-kosove/